Saturday, October 10, 2009

Hasan Prishtina


Në dhjetë vjetëshin e parë te shek. XX. shqiptarët organizuan kryengritje të shumta, duke përfshirë qytete të ndryshme, pra edhe Preshevën. Edhe përkundër rrethanave të ndërlikuara ndërkombëtare, luftën për çlirim dhe pavarësi populli shqiptar nuk e ndali. Hasan Prishtina, deputeti i Kosovës në dhomën e deputetëve në Parlamentin osman më 11 janar 1912, bëri një diskutim të fuqishëm në favor të çështjes kombëtare shqiptare. Nga ky diskutim, lindi takimi në lagjën Taksim, i deputetëve shqiptarë, që paraqet marrëveshjen se “për Shqipërin nuk ka tjetër mjet vetëm të fitojë me një kryengritje të përgjithëshme”. Në këtë mbledhje, si e quajti Hasan Prishtina “Komplot i Taksimit”, rol vendimtarë luajtën dy figura të shquara të Kombit, Ismajl Qemali dhe Hasan Prishtina. Nga marrëveshja e Taksimit, me punën e patriotëve shqiptarë, në trojet shqiptare dolën besëlidhjet e krahinave, si e Lezhës, Bregut te Matit, Dibrës e tjera, deri te Kuvendi i Junikut (21-25 maj 1912). Me inisiativën e Hasan Prishitnës aprovohet programi i kryengritjes e që parashihej 1. Caktimi i kufijëve, 2. Krijimi i një administrate shqiptare, 3. Ngritja e flamurit kombëtarë, 4. Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, 5. Në Shqipëri të sundojë guvernori shqiptare i zgjedhur nga përfaqësuesit e popullit, etj. Si dhe për zbatimin e këtyre kërkesave të jenë garantues fuqitë e mëdha. Këto kërkesa, de facto, ishin për pavarësinë e Shqipërisë. Mirëpo ato nuk u aprovuan nga Porta e Lartë e Stambollit, prandaj kryengritja e përgjithshme shqiptare vazhdoi në të gjitha trojet shqiptare. Aleanca e shteteve ballkanike që u krijua dhe u zgjerua gjatë periudhës mars-shtator 1912 në lidhje me Perandorinë Osmane, kishte karakter çlirimtar, por në krahasim me trojet shqiptare kishte karakter pushtues- grabitqar. Secili fqi ballkanik, kishte bërë planet që të shkëpuste nga një pjesë të Shqipërisë. Pas mobilizimit të ushtrisë të Aleancës Ballkanike në fund të shtatorit edhe Porta e Lartë e mobilizoi ushtrine e vet. Më 8 tetor 1912, Mali i zi i pari shpalli luftë Turqisë, më 17 tetor Serbia dhe Bullgaria, ndërsa një ditë me vonë edhe Greqia. Kështu filloi Lufta e Parë Ballkanike, ndërsa për shqiptarët filloi një nga periudhat më të vështira të historisë. Pjesa lindore e Vilajetit të Kosovës (Presheva, Bujanoci si dhe viset tjera) u detyruan t`i lënë vatrat e tyre shekullore nga depërtimi i ushtrisë serbe. Përzënia nga Sanxhaku i Nishit kishte mbjellur frikë tek shqiptarët me masakrat e egra. Prandaj pjesa dërmuese e tyre u vendos në Shkup e rrethinë, ku qëndroi disa javë. Pas “qetësisë” së krijuar, ata u kthyen në shtëpitë e tyre, por pyetja ishte çka gjetën nga pasuritë e tyre dhe si e kaluan dimrin. Njerëzit me bindje se nuk do të ndodhë asgjë me ta , pësuan humbje njerëzish, djegje të shtëpive, plaçkitje të pasurive, e shumë çka tjetër. Kur në rrethanat diplomatike dhe shtypin evropian filloi të flitet për nevojën e ndryshimeve territoriale në Ballkan, patriotët shqiptarë vendosën që të marrin një veprim të ri politik, qëllimi i të cilit ishte të ruhej tërësia e tokave shqiptare dhe të mblidhej një kuvend kombëtarë që do të vendoste për fatin e saj. Inisiativën për këtë veprim të ri e morën Ismajl Qemali e Luigj Gurakuqi. Kuvendi i Vlorës Duke mos marrë parasyshë rrethanat, se edhe në mos arrinin të gjithë përfaqësuesit e krahinave të ndryshme shqiptare, më 28 nëntorë 1912, në orën 14.30, u hap Kuvendi Kombëtarë i Vlorës, në të cilin morën pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullit shqiptarë. Në seancën e parë të këtij Kuvendi, fjalën hyrëse e paraqiti Ismajl Qemali në të cilën e paraqiti gjendjen e Shqipërisë dhe i përcaktoi masat e ngutshme që duhej të ndërrmerren. Shqiptarët tha ai, nuk harruan as gjuhën e as kombësinë e tyre dhe prova më e mirë janë përpjekjet dhe kryengritjet që bënë pa ndërprerë, e sidomos në katër vitet e fundit për të ruajtur të drejtat dhe zakonet e tyre. Në vazhdim, ai tha se: populli na zgjodhi dhe na dërgoi në këtë tubim historik që të ndërmerret shpëtimin e atdheut, e shpëtimi i vetëm është liria. Prandaj, duke mbështetur mbi dëshirat e shenjëta dhe me vullnetin e patundur të gjithë popullit, dhe me përfaqësuesit e tij e shpallim Shqipërin të mëvetësuar, të lirë dhe të pavarur. Në vazhdimin e punës së Kuvendit të Vlorës, më 4 dhjetor 1912, u bë zgjedhja e plotë e qeverisë, ku bënin pjesë: Ismajl Qemali, kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme, Dom Nikollë Kaçori, nënkryetar, Myfit Bej Libhova, ministër i i punëve të brenshmë, Abdi Bej Toptani, ministër i finansave, Mehmet Pashë Dërralla, ministër i mbrojtjes kombëtare, Petro Poga, ministër i arsimit, Mit`hat Frashëri, ministër i punëve botërore, Pandeli Cale, ministër i PTT-së. Në Kuvendin e shpalljes së Pavarësisë nuk morën pjesë: Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Nexhip Draga, Sahit Hoxha, e të tjerë përshkak se u internuan në burgun e Kalasë së Beogradit (në Kalemegdan) dhe u mbajtën deri në prill të vitit 1913. Shpallja e Pavarësis së Shqipërisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Ajo shënoi jo vetëm çlirimin nga zgjedhja shumëshekullore turke-osmane, por iu dha grusht vendimtarë pretendimeve territoriale të shteteve fqinje, edhe pse fatëkeqsishtë nga ajo ditë e deri më sot më se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufirit të shtetit.